Masakrimi i pleqve me sëpata (7)

06 nëntor 2023 | 16:14

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (7)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së shtatë flet se si forcat serbe në vitin 1999 kanë hyrë në shtëpitë e shqiptarëve duke masakruar pleq me sëpata. “Banorët që nuk kishin mundur të largoheshin nga fshati u detyruan të futeshin në shtëpi të padëmtuara dhe aty u ekzekutuan”, ka theksuar Bardhyl Mahmuti.

“Epoka e re”: Pas përfundimit të luftës është përfolur se në vrasjen e Enver Malokut ka qenë i përfshirë edhe inspektori i lartë i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i përkatësisë etnike shqiptare, Lutfi Ajazi.
Bardhyl Mahmuti: Po! Për të është thënë se ka qenë i përfshirë edhe në vrasje dhe krime të tjera. Madje, me sa më kujtohet, është thënë se ky kriminel ka marrë pjesë edhe në tentim vrasjen e njërit nga themeluesit e LDK-së, intelektualit Sabri Hamiti, më 24 shtator 1998. Fatmirësisht Sabri Hamiti u shpëtoi plagëve që kishte marrë në atentatin kundër tij.
Nuk mund ta di saktësisht në cilat krime kanë qenë të përfshirë drejtpërsëdrejti Selim Broshaj, Ibush Kllokoqi, Lutfi Ajazi, Ajet Istogu, Jakup Hoti, Nazim Bllaca dhe bashkëpunëtorët e tjerë të okupatorëve serbë me origjinë shqiptare, por mund ta them me bindje të plotë se asnjë vrasje e kësaj natyre nuk është bërë me urdhër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Personalitete të larta politike që kanë pasur funksione të larta shtetërore e pohojnë publikisht se urdhërdhënës për kryerjen e këtyre krimeve ka qenë Shtabi Strategjik i Sllobodan Millosheviqit; zbatues i urdhrit ka qenë Shërbimi Sekret i Serbisë; ndërsa ekzekutues kanë qenë kriminelë të përkatësive të ndryshme etnike.
Do të përmend vetëm edhe një rast nga rastet e shumta të vrasjeve të intelektualëve dhe veprimtarëve politikë. Më 21 shkurt 1999, para shtëpisë së vet në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit, u ekzekutua nga forcat e armatosura serbe veprimtari i njohur shqiptar, Gafurr Loku dhe djali i tij, Dritoni (20 vjeç). Që nga viti 1971, kur ishte student në Universitetin e Prishtinës, e deri në vrasjen e tij, në vitin 1999, Gafurr Loku ka qenë vazhdimisht i përndjekur nga regjimet e njëpasnjëshme jugosllave. Më 21 janar 1973 Gjykata e Qarkut në Shkup e dënoi me 5 vjet burg për shkak të angazhimit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërsa më 16 gusht 1982, e njëjta gjykatë e dënoi me 3 vite e 6 muaj burg. Për të fshehur përgjegjësinë shtetërore të Serbisë në kryerjen e këtij krimi, në botimin e vitit 2001 të “Librit të bardhë”, Gafurr dhe Driton Loku përfshihen në listën e “të vrarëve nga terroristët shqiptarë”.

No description available.

“Epoka e re”: Kur flitet për vrasjen e intelektualëve dhe të veprimtarëve politikë, në librin “Mashtrimi i madh” dhe në disa shkrime autoriale, ju e cilësoni si vrasje të dyfishta. Përse ky kualifikim?
Bardhyl Mahmuti: Ekzekutimi i intelektualëve dhe veprimtarëve politikë me urdhër të Shtabit Strategjik të Millosheviqit është vrasje e dyfishtë, sepse, përveç vrasjes së tyre fizike, shpallja nga shteti serb e Fehmi Aganit, Enver Malokut, Gafurr Lokut, Agim Hajrizit, Latif Berishës, Bajram Kelmendit, Xhemajl Mustafës dhe shumë veprimtarëve të tjerë të çështjes kombëtare se gjoja ishin “shqiptarë besnikë ndaj Republikës së Serbisë, të vrarë nga UÇK-ja”, është përpjekje për të përdhosur dhe vrarë edhe veprimtarinë e tyre për çlirimin e Kosovës. Madje vrasje të dyfishtë i kualifikoj të gjitha krimet që janë bërë me urdhër të strukturave shtetërore serbe në funksion të prezantimit të UÇK-së si organizatë terroriste, sepse kjo mënyrë e fshehjes së krimit përdhos kujtimin e të gjitha atyre viktimave të gjenocidit në Kosovë që janë përfshirë në këto lista.

“Epoka e re”: Përveç intelektualëve dhe veprimtarëve politikë të vrarë me urdhër të Shtabit strategjik të Millosheviqit, që u përfshinë në listat e “civilëve të vrarë nga UÇK-ja”, në listat e përpiluara për viktimat e luftës në Kosovë, Shërbimi Sekret i Serbisë ka renditur emra të një numri të konsiderueshëm civilësh që nuk kishin të bënin as me fushën intelektuale, as me veprimtarinë politike. Cilin rast nga kjo kategori e civilëve do ta veçonit?
Bardhyl Mahmuti: Për lexuesit do të përzgjedh një pjesë të listës së civilëve të vrarë, të cilët propaganda serbe i ka prezantua si “shqiptarëve besnikë ndaj Republikës së Serbisë, të vrarë nga terroristët shqiptarë.”.

No description available.

Në numrin rendor 261 të kësaj liste kemi personin me emër Fljora Shabani nga fshati Vlaštice, emri në gjuhën serbe për fshatin Llashticë të Komunës së Gjilanit, ndërsa në numrat rendor 262 dhe 263 përsëritet dy herë emri Flore Shabani. Përveç datës së vrasjes (1 maj 1999) dhe se janë nga fshati Vlaštice (Llashticë), nuk jepet asnjë e dhënë rreth moshës së këtyre “tre” personave!!!
Çdo lexues i vëmendshëm i kësaj liste do të vërente se diçka nuk ishte në rregull me tre emrat gati identik të tre personave nga i njëjti vendbanim, të vrarë në të njëjtën ditë, në të njëjtin vend! Po e sqarojmë për lexuesin se në Kosovë ka vetëm një fshat që mban toponimin Llashticë (Vlaštice). Kushdo qoftë që ka qenë i interesuar të informohet rreth së vërtetës për këta tre emra, ka mësuar për tragjedinë që kishin përjetuar banorët e këtij fshati.
Më 13 prill 1999 forcat e armatosura serbe sulmuan fshatin Llashticë dhe vranë Ali Selimin, Enver Murselin, Ymer Rashitin, Lulzim Musliun, Rukije Ramushin, Habibe Ramushin, Nezir Ramushin, Xhyzide Hasanin dhe Lirim Shabanin. Gjatë këtij operacioni u dogjën 123 shtëpi, 137 objekte ndihmëse, shkolla dhe biblioteka e fshatit. Në të njëjtin kohë forcat serbe plaçkitën 90 traktorë, 120 moto-kultivatorë, 3 autokombajna, 3 kombibusa, një kamion, 130 vetura dhe 680 kafshë.
Dy javë më vonë, më 30 prill 1999, filloi akti i dytë i tragjedisë: fshati u bombardua nga të katër anët. Banorët që nuk kishin mundur të largoheshin nga fshati u detyruan të futeshin në shtëpi të padëmtuara dhe aty u ekzekutuan: Hysen Hyseni, Ajshe Hyseni, Fazli Hyseni, Arife Hyseni, Driton Hyseni, Mirije Hyseni, Blerim Halili, Rifat Shabani, Selami Shabani, Zijavere Shabani, Fisnik Shabani, Sylejman Ibishi dhe Xhavit Berisha. Me qëllim që të humbin gjurmët e këtij akti gjenocidi, shtëpisë dhe kufomave ua vunë zjarrin. Megjithatë nëpër zjarr dhe tym të shtëpive dhe të kufomave që digjeshin, të plagosur rëndë sa edhe forcat serbe i morën për të vdekur, arritën të shpëtojnë Vlora Shabani, Deli Hyseni, Drita Hyseni, Ymer Ibishi dhe Nehat Shabani.

No description available.

Vlora Shabani, kjo vajzë 13 vjeçare të cilën propaganda serbe e prezantonte me emrat Fljora Shabani dhe Flore Shabani, nuk kishte vdekur! Ajo u mbijetoi plagëve dhe është dëshmitare e gjallë e tmerrit kur iu vranë, në praninë e saj, babai, Selamiu (mësues i fshatit), nëna Zijaverja, vëllai, Fisniku, që ishte vetëm 3 vjeçar, dhe gjyshi, Rifati.
Dëshmitë publike të Vlora Shabanit detyruan Shërbimin Sekret të Serbisë të hiqte emrat Fljora Shabani dhe Flore Shabani nga lista e publikuar në botimin e vitit 2001. Megjithatë botimi në gjuhën angleze (mars 2000) vazhdon të qarkullojë në qarqe të ndryshme politike dhe dilomatike ndërkombëtar duke mbajtur gjallë mundësinë që lexues të rinj të bien viktima të sajesave të Shërbimit Sekret të Serbisë.

“Epoka e re”: Për aq sa shihet nga vitet e lindjes, disa nga personat që përmenden në pjesën e shkoqitur nga lista e viktimave civile që i vishen UÇK-së janë persona në moshë. A keni pasur mundësi të hulumtoni për rrethanat e vrasjeve të tyre.
Bardhyl Mahmuti: Po! Do të jap disa të dhëna shkurtimisht.
Në numrin rendor 264 është përfshirë Naxhije Bunjaku (Nadjija Bunjaku në transkriptimin anglisht), e moshës 72 vjeçare, e vrarë më 7 maj 1999, në Gjilan.
Para agimit të ditës së 7 majit 1999, në 01:30, tre pjesëtarë të forcave të armatosura serbe (Predrag Janković, Dušan Panajotović dhe Zoran Stević), hynë në shtëpinë e familjes Bunjaku dhe kërkuan djalin e vetëm të kësaj familje, Shkëlzen Bunjakun. Naxhija u përpoq t’i pengonte që të mos hynin në dhomën ku ishin fëmijët e Shkëlzenit. Meqë nuk e gjetën Shkëlzenin, ata ekzekutuan nënën e tij.
Për të hequr përgjegjësinë nga shteti për vrasjen e një gruaje të moshuar, kjo vrasje u regjistrua në Prokurorinë e Gjilanit, më 15 maj 1999 (dosja KI. 13/99). Predrag Janković, Dušan Panajotović dhe Zoran Stević u arrestuan dhe kundër tyre u ngrit aktakuzë për veprën penale të vrasjes (Aktakuza P.P.16/99).
Pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, askush nuk dha përgjegjësi për vrasjen e Naxhije Bunjaku dhe sot e kësaj dite emri i saj figuron në listat e civilëve të vrarë që i vishen UÇK-së. Në numrin rendor 265 kemi Ahmet Kokollarin, 74 vjeç, i ekzekutuar nga forcat serbe në shtëpinë tij.
Është tepër tragjike rasti i vëllezërve Hasan Ademi, 90 vjeç dhe Ismajl Ademi, 83 vjeç, dhe i gruas së Ismajlit, Fatimja, 81 vjeçe, nga fshati Koshare e Ferizajt. Fatimja ishte e paralizuar dhe nuk kishin pasur asnjë mundësi transporti të largohej nga fshati. Dy pleqtë (Hasani dhe Ismajli) mbetën të përkujdeseshin për Fatimen. Më 14 maj 1999 forcat serbe hynë në shtëpinë e tyre. Për të “kursyer” plumbat, Hasanin, Ismajlin dhe Fatimen i masakruan me sëpata. Në fund, Shërbimi Sekret i Serbisë i përfshiu në numrat 266, 267 dhe 268 në listën e “viktimave civile të vrarë nga terroristët shqiptarë”.
Rrahim Rrahmani, 71 vjeç, u vra para shtëpisë së tij gjatë operacioneve për spastrimin etnik të Kosovës. Ky person nuk ishte nga fshati Sodovinë e Jerlive e Komunës së Vitisë, siç e prezanton propaganda serbe, por nga fshati Vërban i kësaj komune.

“Epoka e re”: Si e shpjegoni që në pjesën ku vrasja e Fehmi Aganit i vishet UÇK-së përmendet si i vrarë edhe Ahmet Isufi, i cili jo vetëm që nuk ka qenë udhëheqës i FARK-ut, por ende është gjallë.
Bardhyl Mahmuti: Përveç “vrasjes” së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Ahmet Isufit, në kumtesën e datës 7 maj 1999 lidhur me vrasjen e Fehmi Aganit, Policia serbe shpalli se gjoja “UÇK-ja kishte vrarë edhe poetin, Din Mehmeti dhe shkrimtarin, Teki Dervishi.

No description available.

Një shprehje popullore në Kosovë thotë: “Çka ka shtëpia / Kallëzon fëmija”! Ahmet Isufi, Din Mehmeti dhe Teki Dervishi janë vetëm tre personalitete nga qindra intelektualë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare që ishin paraparë të vriteshin nga Serbia dhe për vrasjen e tyre të fajësohej UÇK-ja. Fatmirësisht Ahmet Isufi është ende gjallë dhe është duke dhënë kontribut të çmueshëm në skenën politike, ndërsa Din Mehmeti dhe Teki Dervishi patën fatin t’i shpëtonin planit për likuidimin e tyre dhe të shohin Kosovën e lirë! ( Din Mehmeti vdiq më 12 nëntor 2010, ndërsa Teki Dervishi më 29 qershor 2011).

“Epoka e re”: Sado absurde të duken akuzat e tilla, fatkeqësisht nuk kanë mbetur pa efekt.
Bardhyl Mahmuti: Përpiluesit e listave të tilla dhe shpërndarja në qarqet politike, diplomatike dhe të mediave ndërkombëtare janë nisur nga parimi se janë të pakta gjasat që lexuesit e huaj të jenë të informuar për identitetin e cilitdo qoftë nga civilët e vrarë që figurojnë në këto listë. Për shumicën absolute të lexuesve të këtyre listave, emrat janë të panjohur, siç janë të panjohura edhe rrethanat e vrasjeve të tyre. Nuk flas vetëm për lexuesit e jashtëm. Nëse do të bënim një sondazh rreth kësaj çështjeje dhe të përzgjidhnim popullatën e anketuar nga anëtarë të organeve drejtuese të partive politike shqiptare në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës, nga deputetë, ministra, diplomatë, historian dhe gazetarë shqiptarë, rezultatet do të na befasonin për keq!

(Muhamet Mavraj / Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi i Futsalli, Prishtina 01 ka arritur edhe një sukses…